Kuvendi në pritje të informatës për gjendjen në veri të vendit
Ndonëse kanë kaluar njëzet ditë nga kërkesa drejtuar Qeverisë që të japë një pasqyrë për gjendjen në veri të Mitrovicës, Kryesia e Kuvendit ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga ekzekutivi i vendit. Kreu i Kuvendit Jakup Krasniqi, tha se duhet pritur edhe një javë. Nëse Qeveria nuk sjell informatë, atëherë do të vendoset për seancën në të cilën do të debatohet për zbatimin e kushtetutshmërisë në pjesën veriore të Mitrovicës, saktësoi Krasniqi. Ai sqaroi se sipas rregullores, afati që Qeveria të sjellë një informatë, është tri javë. Kërkesa për debat për gjendjen e sigurisë në veri është shtruar në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit më 19 janar nga LDD, ndërkohë që drejtuesit e Kuvendit kanë shprehur bindjen se qeveria jo vetëm që do të sjellë informatë për shtrirjen e kushtetutshmërisë në pjesën veriore, por do të zbardhë edhe përmbajtjen e strategjisë për integrimin e veriut. Në lidhje me vendimin e Qeverisë nga fundi i vitit të kaluar për dhënien e pagave në mënyrë retroaktive për ministrat që mbajnë dhe postin e deputetit, kryeparlamentari Krasniqi tha se shumë vendime bien ndesh me ligjin dhe në këtë drejtim ai ka kërkuar që të mos merren vendime që bien në kundërshtim me ligjet që i miraton Kuvendi. Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e sotme ka caktuar rendin e ditës për seancën e rregullt plenare që do të mbahet më 11 shkurt, në të cilën do të shqyrtohen tetë projektligje, pesë për herë të parë dhe tri për herë të dytë, si dhe ka caktuar seancën solemne më 17 shkurt, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës
Modifikimi i fundit: 3:34:49 PM / 2/8/2010 1 herė i lexuar